Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjeve ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe ’23”, që do të zhvillohen nga 21 maji deri më 2 qershor.
Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të kontribuojë në çdo mision të NATO-s.
“Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak “Defender Europe ’23”, që do të realizohet nga data 21 maj deri më 2 qershor 2023. FSK, Forcë e gatshme për të kontribuar në çdo mision të NATO-s”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Kosova do të marrë pjesë në stërvitjen fushore “Defender Europe ’23” me mbi 1300 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve të tjerë.
Në këto stërvitje do të validohet edhe një regjiment me njësitë tjera të specializuara që i mbështesin këto stërvitje.
Ministri Mehaj e ka publikuar edhe një videoregjistrim nga përgatitjet për stërvitjet “Defender Europe ’23”.