Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët në fund të majit sapo është arrestuar në veri të vendit, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se Nemanja Vllaskoviq do të ballafaqohet me drejtësi për sulmin e kryer ndaj mediumit “Kallxo” në Leposaviq më 29 maj.
“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskoviq do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, ka njoftuar ai në Facebook.
Sveçla ka thënë se “të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit e gazetarëve. Vazhdojmë, të përkushtuar, për drejtësi e pa kompromis kundër milicisë fashiste”, ka deklaruar ai.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se arrestimi i tij ka ardhur si “rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore”.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim të Policisë.