Gentian Bejtja ishte objektiv i atentatit në Fushë-Krujë, një emër i njohur për policinë e që më parë u ka shpëtuar edhe dy sulmeve të tjera.
Tre persona shkrehën breshëri plumbash në Larushk të Fushë-Krujës, duke lënë të vdekur një 29 vjeçar, kunatin e tij dhe të plagosur dy djemtë e Bejtjas 10 dhe 13 vjeç.
Sipas të dhënave të policisë, dy nga atentatorët ndiqnin lëvizjet e Ramazan Sinës, kunatit të Gentjan Bejtjas dhe u afruan fare pranë portës së shtëpisë së këtij të fundit, sapo 29-vjeçari ka zbritur nga automjeti, së bashku me nipërit u qëllua për vdekje. Dy të miturit u transportuan për në spitalin e traumës dhe fatmirësisht sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.
Për grupin hetimor ende nuk është e qartë se përse ka gëzhoja në afërsi të autostradës, por dyshohet se automjeti i Sinës mund të jetë qëlluar dhe në lëvizje.
Gentian Bejtja mendohet se ka qenë në shtëpi dy ditë më parë, por hetuesit nuk përjashtojnë pistën që ai të ketë qenë edhe mbrëmjen e së martës në makinën Sinës, por që mund të ketë zbritur më parë.
Nga ana tjetër, jozyrtarisht, thuhet se kunati punonte si drejtues mjeti në prokurorinë e apelit të Tiranës e diçka e tillë mund të jetë përdorur nga Bejtja për të lëvizur me kunatin e tij.
Vetëm pak kilometra më tutje policia gjeti mjetin e djegur të autorëve një Golf 5 i vjedhur në Tiranë. Brenda makinës u gjetën dhe tre kallashnikovë.
Bejtja i ka shpëtuar dhe dy atentateve të tjera ndërsa për policinë ka qenë i dyshuar si i përfshirë dhe në vjedhjen e automjetit që u përdor në vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj. Së fundmi ai kishte kërkuar azil në Norvegji dhe Suedi, të cilat ishin refuzuar e mesa duke tani ishte kthyer në Shqipëri./A2CNN