Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/103 të datës 28 tetor 2022, duke zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023.
“Ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS”, ka njoftuar Kryeministria.
Në njoftim thuhet se vendim i ri parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.
Targat KM lëshohen nga autoritetet serbe, dhe pas marrëveshjes me Kosovën në nëntor të vitit të kaluar, regjistrimi rinovohet në bazë të dekretit të Qeverisë së Serbisë, pa lëshuar fleta regjistrimi.
Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar veturën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.
Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.
Afati i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë ka skaduar në prill të këtij viti, por ende në terren ka një numër të madh të automjeteve me targa KM.
Sipas disa vlerësimeve, deri në tetor të vitit 2022 në komunat e veriut të Kosovës kanë qenë rreth 10 mijë vetura me targa KM.