Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk mund të ketë zgjidhje të kënaqshme për serbët, për “problemin e Kosovës”.
“Ne do të mund t’i sulmonim të gjithë dhe t’u themi se kemi zgjidhje për problemin e Kosovës, por s’mund të ketë asnjë zgjidhje të kënaqshme për serbët”, ka thënë ai në një fjalimin drejtuar popullit, e të cilin e pati paralajmëruar ditë më parë.
Ndërkohë, siç raporton Radio Evropa e Lirë, para konferencës mediave u është shpërndarë një dokument në të cilin paraqiten kërkesat e Serbisë. E ato janë “heqja e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Siç raportohet, kjo është cilësuar si “parakusht i domosdoshëm për përparim të kuptimshëm”, në procesin e dialogut.
Shtatë kërkesat e Serbisë
Sipas dokumentit, Serbia kërkon:
Shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
Tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
Tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës
Kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.
Sipas Vuçiqit, që nga Marrëveshja e Brukselit ka pasur “përjashtim të qetë dhe të madh” të serbëve nga Kosova sepse “zhdukja e serbëve është garancia e vetme se Kosova do të jetë e lirë”.
“Në periudhën në vazhdim, mund të presim vetëm lajme të këqija, jo më të mira, sepse zgjedhjet po vijnë”, ka thënë ai.