A është pishman Lumir Abdixhiku që ia bëri kuorumin Vjosa Osmanit për presidente?

A është pishman Lumir Abdixhiku që ia bëri kuorumin Vjosa Osmanit për presidente?

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se me presidenten Vjosa Osmani dikur bashkëpartiake, tash ka vetëm raport institucional “kryetar i LDK-së- Presidente”.

Në pyetjen e parashtuar, se a është bërë pishman që ia kishte bërë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente, Abdixhiku tha se “ka qenë rrjedhë e logjikshme e atëhershme, kështu që nuk ka diskutim për atë”.

“Në qoftëse ky është mëkati im më i madh, atëherë le të jetë si i tillë”- tha ai në një intervistë për “KallxoPërnime” më 21.09.2024 të transmetuar në Tv Dukagjini.

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, thotë se nuk është ndarë i kënaqur me Osmanin si presidente.

“Vetë fakti që tre vite u dashtë të presim për një qëndrim, edhe për korrupsion edhe për çështjen e partneritetit me aleatë, edhe për çështje të dialogut dhe të Asociacionit  edhe për të anëtarësimit, po i bie që për tri vite i bie që nuk e ke ushtru funksionin…” – tha ai për presidenten Osmani.

Abdixhiku vazhdoi të përgjigjet shkurt dhe prerazi në pyetjet që kanë të bëjnë me presidenten Osmani.

Me nismën ‘Rruga e Re’, kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku synon realizimin e tri ambicieve kryesore, nëse arrinë t’i fitojë votat e mjaftueshme në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Investimet e prekshme qeveritare sipas Abdixhikut do të mbërrijnë në pesë miliardë euro brenda katër vitesh mandat, gjë që është një nga tri shtyllat kryesore të plan-programit të tij.

Në mesin e synimeve që kreu i LDK-së i përmendi, parti e qendrës së djathtë kjo, përfshihet edhe një politikë që i ngjason me politikat e qendrës së majtë – shuarja e polarizimit shoqëror.

Duke kritikuar Qeverinë e tanishme në krye me Albin Kurtin, Abdixhiku tha se duan ta shuajnë polarizimin ku Kosova gjendet tani, qoftë brenda shqiptar, qoftë ndëretnik, qoftë edhe me komunitetin ndërkombëtar.

“Kam përshtypjen që as nuk po mundemi të afrohemi me njëri-tjetrin e as të maksimizojmë potencialin tonë shoqëror. Kemi qeveri që edhe për çështjet më bazike arrin ta bëj ndarjen ‘ne’ dhe ‘ju’. Pra ‘ne’ këndej si patriotë, dhe ‘ju’ kushdo që është përballë nesh është me Serbinë dhe Vuçiqin”- tha Abdixhiku gjatë intervistës.

Ndërkaq, shtylla e dytë që ai e përmendi duke e lidhur përsëri me qeverisjen e tanishme, ka të bëjë me zhvillimin e Kosovës, meqenëse, sipas tij, që katër vite Kosova po shënon një tregues bukur të rëndë historik.

Dhe shtylla e tretë, thotë Abdixhiku, ka të bëjë me kthimin e Kosovës euro-atlantik ‘sepse po bëhen katër vite pa ndërmarë asnjë hap, as nuk kemi marrë ndonjë anëtarësim të ri, as nuk kemi marrë ndonjë njohje të re’.

“Krejt për një arsye, të një status quo-je të re kam përshtypjen, kemi ngecur në gjendjen e tanishme. Programi ‘Rruga e Re’ është ambicioz por i realizueshëm. Pra është program që merr parasysh kohën katër vjeçare”- tha ai.

Megjithatë, në pyetjen drejtuar ndaj Abdixhikut se pse nuk po e luajnë mjaftueshëm opozitën, ai tha që nuk është karakteristikë e tij e as e partisë që udhëheqë, që të bëjnë fushatë përplasëse.

“Njerëzit jo patjetër dojnë sharje, jo patjetër dojnë përplasje”- shtoi ai.

LDK ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokristiane të Kosovës (PSHDK), për garimin e përbashkët në një listë zgjedhore, përkatësisht në listën e LDK-së.

Lumir Abdixhiku në fund të vitit të kaluar ishte rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës për herë të dytë në Kuvendin e 10-të zgjedhor të partisë më të vjetër në Kosovë.

CATEGORIES
Share This