Ridvan Aliu, themelues i Akademisë FutureMinds, ka një histori frymëzuese që nis në vitin 1998, kur si adoleshent emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe ai u përball me sfida të mëdha që përfshinin shkëputjen nga jeta familjare dhe shoqërore, por njëkohësisht përqafoi mundësitë e reja që i ofroi Amerika.
Në një prononcim për Telegrafin, Aliu thotë se rrugëtimi i tij nuk ishte aspak i lehtë. Përpara largimit, babai i tij e kishte pyetur për vendin ku donte të vazhdonte shkollimin.
“Kemi shku në vitin 1998, vetëm sa patëm filluar shkollën e mesme. Edhe e di paraprakisht babi na pat pyet mua edhe vëllanë, patëm shku bashkë me të. Ku po doni me përfundu shkollën e mesme? A doni në Turqi? Në Zvicër? Edhe hala pa e përfundu Amerikën, zgjodhëm Amerikën. Mendova që është si në filma”, ka thënë Aliu.
Pas mbërritjes në SHBA, ai dhe vëllai i tij u ndanë për një periudhë, për shkak të luftës në Kosovë.
“Vazhduam atje shkollën e mesme dhe fakultetin, pastaj këtu pas një vit e gjysmë u bë lufta edhe na mbetëm atje. Ishim nda me vëllaun, ishim thuajse sa prej këtu në Itali, nëpër vende të ndryshme… U patëm bë bashkë pas tre vite e gjysmë në Uashingtonstejt dhe vazhduam karrierën prej atëherë”, ka thënë tutje ai.
Fillimisht, Ridvani kishte një pasion të madh për artin. Megjithatë, ai vendosi të vazhdonte studimet në programim, duke përfunduar një Bachelor në këtë fushë dhe më pas duke përfituar një masters në softuerinxhinieri nga Colorado Technical University.
“Unë më shumë e kam dashtë artin, sesa programimin. Ddëshira ime ishte me u ba arkitekt në Amerikë, po e lash tani vazhdova në programim”, tregon ai.
Pas përfundimit të studimeve, Ridvani filloi të ligjëronte në nivel universitar në SHBA, ku kaloi gjashtë vjet si profesor. Ai punoi gjithashtu për disa prej gjigantëve teknologjikë më të mëdhenj, si Disney, Microsoft dhe Amazon.
“Kam ligjëru në nivelin e lartë që i bie kolegje e universitete, pak në Uashington, një pjesë kam ligjeru në Floridë, dhe pastaj u futa në Disney, në MGM Studios, pastaj në Microsoft, prej Microsoftit në Amazon. Kështu jam sjellur nëpër këto kompanitë gjigante dhe pastaj dola në vete”, tha ai.
Pavarësisht suksesit, rruga e tij nuk ishte e lehtë, derisa Aliu tha se, gjatë viteve të hershme në Amerikë, ai kishte punuar në hotele për të mbajtur veten.
“Unë bile kam punu një kohë nëpër hotele. Kam pas fillu me punu si 16 vjeçar në një hotel, që ka qenë goxha geto…”, theksoi Aliu.
Një incident vendimtar ndodhi kur një grup inxhinierësh nga Microsoft erdhi në një nga hotelet ku punonte ai.
“Erdhi një grup i inxhinierëve të Microsoftit me një konferencë aty afër dhe ishin në rend aty për të marrë sendviqa… Aty më lindi meraku qysh mu bë programer”, tha tutje ai.
Pas një periudhe të gjatë suksesi në SHBA, Aliu vendosi të rikthehet në Kosovë, për të kontribuar në zhvillimin teknologjik të vendit.
Ai ka hapur Akademinë FutureMinds, një platformë për edukimin e të rinjve dhe zhvillimin e kapaciteteve teknologjike në Kosovë.
“E pamë potencialin e rinisë dhe e shtrova rrugën për me u rikthy 12-13 vjet e fundit. E vendosa me ardh këtu për të ndërtuar kuadro më të forta, për të ndërtuar startup më shumë në vendin tonë”, potencoi ai.
Kthimi i tij në vendlindje ishte i motivuar jo vetëm nga dëshira për të kontribuar në zhvillimin teknologjik, por edhe për arsye familjare.
“Fëmija filluan me u rrit. E kështu vendosa me ardh ku të ndërtojmë kapacitete më të forta.”
Përmes FutureMinds dhe përvojës së tij shumëvjeçare në tregun ndërkombëtar, Ridvan Aliu synon të ndërtojë një të ardhme më të ndritur për brezin e ri të Kosovës, duke krijuar një urë lidhëse me botën e inovacionit dhe teknologjisë globale. /Telegrafi