Inspektori komunal i Komunës së Prizrenit, Bashkim Krasniqi, i cili u arrestua ditë më parë për dyshim të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, nuk do të mbahet më në paraburgim. Pas kërkesës së avokatit të tij, Blerim Mazreku, për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit të Krasniqit.
Fillimisht, Gjykata Themelore e Prizrenit caktoi masën e paraburgimit deri më 7 nëntor pas kërkesës së Prokurorisë Themelore. Mazreku, m
brojtësi i Krasniqit, apeloi vendimin, por ankesa iu refuzua nga Gjykata e Apelit. Duke ndjekur procedurën ligjore, avokati kërkoi mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit aprovoi kërkesën, duke ndërprerë kështu paraburgimin e klientit të tij.
Rasti kundër Krasniqit lidhet me mosveprimin e tij për rrënimin e një ndërtese të diskutueshme në Landovicë, të cilës i ishte dhënë leja për fermë kalërimi, por që më pas u transformua në një motel.
Në një hulumtim të realizuar nga portali “Betimi për Drejtësi,” në qershor 2024, pretendohet për shkelje në procesin e ndërtimit të motelit, përfshirë edhe mosndërhyrjen e inspektorit Krasniqi për të u realizuar ndërtimi në përputhje me lejen e dhënë për fermë.Ky zhvillim i fundit, sipas avokatit mbrojtës Mazreku, është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të drejtësisë për klientin e tij. Ai u shpreh se do të vazhdojë përpjekjet për të provuar pafajësinë e Krasniqit në procesin e ardhshëm gjyqësor.