Amerikanët zgjedhin mes Harrisit dhe Trumpit, krejt çka duhet të dini për ditën e zgjedhjeve në SHBA

Qytetarët amerikanë më 5 nëntor votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentes demokrate, Kamala Harris.

Qendrat e votimit nisin të hapen nga ora 05:00 (11:00 sipas kohës lokale në Kosovë) në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvania, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm.

Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.

Mbrëmjen e 4 nëntorit zyrtarët federalë zgjedhorë paralajmëruan se me një garë kaq të ngushtë, Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat e tyre të ndikimit me synimin që të ndjellin përçarje në mesin e votuesve amerikanë me qëllim që të nxitet dhunë ndaj zyrtarëve zgjedhorë, pas një fushate të ashpër.

Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.

Ndërsa Harris, nëse zgjidhet, do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore.

Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme. I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.

Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Bideni, 81 vjeç, dhe Trumpi 78 vjeç.

Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për të drejtën e abortit pas vendimit të vitit 2022 të Gjykatës Supreme që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Ajo po ashtu e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.

Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të shtetit, sikurse Kina.

Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër.

Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës.

Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.

Çdo shtet, me përjashtim të Nebraskës dhe Mejnin, ua japin votat në Kolegjin Zgjedhor kandidatit që ka më së shumti vota popullore në shtetin përkatës.

Nëse Harris dhe Trump dështojnë të arrijnë shumicën prej 270 votash në Kolegjin Zgjedhor, Dhoma e re e Përfaqësuesve në janar do të zgjedhë presidentin dhe Senati i ri po ashtu do të zgjedhë nënpresidentin.

Më shumë se 77 milionë votues veçse kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.

Harris veçse ka votuar përmes postës, kurse trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve, raporton REL.

  • Postime të ngjashme

    Gjermania zotohet të mos frikësohet më nga Rusia

    Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock është zotuar të martën se vendi i saj nuk do të frikësohet nga politika e re parandaluese bërthamore e Rusisë, duke thënë se…

    Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake – Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

    Policia ka realizuar sot një aksion në Zveçan, ku ka sekuestruar armë, municion e veshje ushtarake. Policia në njoftimin e bërë për media ka bërë të ditur se aksioni është…

    Mos i humbisni

    Gjermania zotohet të mos frikësohet më nga Rusia

    • November 19, 2024
    Gjermania zotohet të mos frikësohet më nga Rusia

    Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake – Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

    • November 19, 2024
    Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake – Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

    Shpërthime në Rusi, ukrainasit thonë shënjestrojnë arsenalin e ushtrisë së Putinit

    • November 19, 2024
    Shpërthime në Rusi, ukrainasit thonë shënjestrojnë arsenalin e ushtrisë së Putinit

    Muhamed Sejdini jep dorëheqje nga pozita e tij si president i FFM-së

    • November 17, 2024
    Muhamed Sejdini jep dorëheqje nga pozita e tij si president i FFM-së

    Ramiz Brahimaj triumfon në UFC, bën një dedikim emocionues për babagjyshin

    • November 17, 2024
    Ramiz Brahimaj triumfon në UFC, bën një dedikim emocionues për babagjyshin

    I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

    • November 17, 2024
    I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër