“Damarë të Gazprom”, “prona të AKP”, “biznese pa licencë” a ishin të Radojiçiqit pompat e mbyllura dje në Veri?

“Damarë të Gazprom”, “prona të AKP”, “biznese pa licencë” a ishin të Radojiçiqit pompat e mbyllura dje në Veri?

Tri pika të pompës së benzinës “NIS Petrol” u mbyllën dje në Veri. Nga Policia thanë që i kanë asistuar Agjencisë Kosovare për Privatizim për të verifikuar disa prona. APK sqaroi se bëhej fjalë për prona të tyre që ishin lëshuar me qira, por që sipas tyre nuk ishin të pajisura me licencë nga MINT dhe dy prej tyre nuk ishin as të fiskalizuara.

Ndërkaq mediat raportuan se këto pompa janë të kryekriminelit Milan Radojçiq. Këtë në një mënyrë e konfirmoi zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, pasi shpërndau një lajm me titullin “I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit”. Ndërkaq, ministri Sveçla tha se pompat e mbyllura janë damar i Gazpromit rus dhe se nuk ka vend në Kosovë.

Policia e Kosovës dje i asistoi Agjencisë Kosovare për Privatizim në verifikimin e disa pronave në Veri. Zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, i tha dje Gazetës Express se një pompë e benzinës është mbyllur në Mitrovicë të Veriut, një në Zubin Potok dhe një në Ujman.

“Sot Policia e Kosovës ka asistu AKP në verifikim të pronave të tyre. Një pompë e benzinës në Mitrovica Veri, një në Zubin Potok dhe një në Ujman janë mbyll. AKP ka qenë në prezencë të Inspektorëve të MTI dhe ATK”, tha ai për Express.

Elshani tha se çdo gjë ka kaluar pa probleme.

Disa media raportuan se këto pompa ishin në pronësi të kryeterroristit, Milan Radojçiq. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka. Ai shpërndau një lajm me titullin “I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit”.

Ndërkaq, nga Agjencia e Kosovës për Privatizim kanë thënë se kanë pranuar informacione se qiramarrësit e pikave të karburantit nën administrimin e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok janë duke operuar pa licencim.

Përmes një komunikate për media, AKP ka thënë se bashkë me ATK’në dhe Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë dalë në terren dhe është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga MINT dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara.

“Sot, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kemi dalë në terren, ku pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit.”

Kështu, Inspektorati i MINT ua ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve dhe AKP ka thënë se do të ndërpresë kontratat e qirasë.

Për këto pompa të benzinës ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se pompat e mbyllura “Nis Petrol” janë damar i Gazpromit rus dhe se nuk ka vend në Kosovë. Ai shtoi se keqpërdoruesit do të ballafaqohen me ligjin.

Ai ka thënë se “krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite”.

“Në kontrast me përvojën e hidhur për më shumë se dy dekada kemi dëshmuar se sundimi i rendit dhe ligjit është i mundshëm kudo nëpër Republikën tonë. Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.”

“Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘’Nis Petrol’’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës.”

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se këto pika karburanti e kanë logon e kompanisë Industria e Naftës e Serbisë (NIS) dhe se sipas informatave të tyre ato prej disa vitesh janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.

Pronarja kryesore e kompanisë NIS është Gazprom Neft, më pas një përqindje e kanë kompania e saj ombrellë, Gazprom dhe shteti i Serbisë. Gazprom Neft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi.

Marko Gjuriq, sa ka qenë në pozitën e Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pati marrë pjesë në hapjen e njërës prej pikave të pompave të NIS-it në veri.

CATEGORIES
Share This