Universiteti i Harvardit në Masaçusets, SHBA e ka shtuar gjuhën shqipe si pjesë të kurrikulës së gjuhës, njofton Harvard Magazine.
Në kuadër të kësaj, orët për Shqipen Elementare 1 filluan këtë semestër, dhe gjuha shqipe është futur në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së Afërt (NELC) ku në këtë grup ofrohen gjuhët si aramaishtja, persishtja, turqishtja dhe të tjera.
Edona Cosovic, kryetare e vitit të dytë dhe vajza e një emigranti shqiptar nga Mali i Zi, tha për “Harvard Magazine” se ishte një nga studentët që nxiti futjen e gjuhës shqipe në Harvard.
E rritur në SHBA, ajo mësoi të fliste gjuhën shqipe në mënyrë jo formale në shtëpi, por e kishte të vështirë ta ruante gjuhën pavarësisht dëshirës së saj të madhe për ta bërë këtë.
“Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin burime për të na blerë kanale shqiptare”, thotë ajo.
“Ne jemi në shkollë gjithë ditën, shikojmë TV në anglisht, gjithçka është në anglisht, dhe ata gjithashtu po përpiqen të mësojnë gjuhën angleze sepse ata punojnë këtu dhe po përpiqen gjithashtu të bëjnë para, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë, shumë shpejt, brenda një brezi”.
Në mars të vitit 2022, Cosovic pyeti për mundësinë e ndërtimit të një kursi në Harvard. Kështu ajo foli me Eva Stathi Misho-n, një koordinatore studentore e NELC. Para se të vinte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar për klasikë në Kolegjin Hellenic në Brookline, Stathi Misho studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë.
Stathi Misho shpesh pyetet se çfarë gjuhe flitet në Shqipëri, kështu që beson se kjo lëndë do ta bëjë përgjigjen e kësaj pyetjeje më pak të lehtë.
Kjo tregon se “ne ekzistojmë [dhe] kemi një gjuhë”, thotë ajo.
Faton Limani, administrator i studimeve pasuniversitare në departamentin e Letërsisë Krahasuese, bashkëpunoi me Stathi Misho-n për t’i gjetur vend gjuhës në universitet, sipas Harvard Magazine.
Ai njoftoi 1 vit më parë, se gjuha shqipe do të futej si lëndë zgjedhore në Universitetin e Harvardit.
Ndërkaq në një intervistë për Telegrafin, Limani pati treguar për ecurinë se si hyri si lëndë zgjedhore, si u mirëprit nga studentët atje dhe kur do të nis së ligjëruari si lëndë.
Ai deklaroi se së bashku me Eva-n e kishin si ide futjen e Gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore, mirëpo iniciativa u bë nga disa studentë të nivelit Bachelor, shqiptaro-amerikan.
“Bashkë me kolegen time Eva, e cila punon në një departamentin tjetër e kishim si ide. Mirëpo ajo që e përshpejtoi procesin që ne të arrinim të fusim Gjuhën Shqipe si lëndë zgjedhore ishte kërkesa e disa studentëve shqiptaro-amerikan të nivelit Bachelor. Ata filluan të kërkojnë që të marrin një gjuhë të huaj si lëndë zgjedhore dhe kërkuan që gjuha shqipe të jetë një ndër to. Mirëpo meqë ata kishin kërkuar në disa departamente dhe nuk kishin informacion, erdhi lajmi dhe në departamentin tonë. Filluam që të bisedojmë me disa departamente duke përfshi dhe departamentin ku unë jam administratorë dhe u bë e mundur që Gjuha shqipe të futet si lëndë zgjedhore”, tregoi Limani për Telegrafin.
I pyetur se si do të procedohet tutje me këtë lëndë, ai tha: ”Gjuha shqipe do të ofrohet gjatë tërë vitit në tri nivele, fillestar, të ndërmjetme dhe të avancuar. Dhe do të jetë në dispozicion për të gjithë studentët e Universitetit të Harvardit në të gjitha nivelet e studimit”./Telegrafi