Gjyshja e 17-vjeçarit të vrarë në Francë ka bërë thirrje që dhuna të ndalet. Pas disa ditësh trazirash që nisën me vrasjen nga policia të Nahel-it, gjyshja e tij bëri një apel të dielën mbrëma.
“Ju drejtohem njerëzve që po bëjnë dëme, ndaloni. Mos shkatërroni shkolla dhe autobusë,” bëri apel zonja Nadia teksa shtoi se nipi i saj po përdoret thjesht si pretekst.
“Besojini drejtësisë. Jam e lodhur, vajza ime nuk ka më arsye të jetojë,” shtoi gjyshja e Nahel-it ndërsa shprehej se nuk është e mërzitur me policinë në tërësi por vetëm me efektivin që vrau nipin e saj.
“Ata janë policë të mirë, kam besim te drejtësia.”
Ndërkohë, ditën e sotme situata në Francë duket më e qetë ndërsa raportohet se në trazira ka humbur jetën një zjarrfikës 24-vjeçar në tentativa për të shuar një zjarr në Saint-Denis.
Gjatë natës u bënë 157 arrestime ndërsa autoritetet raportojnë edhe për tre të lënduar mes forcave të rendit.