Gregory Kehoe, avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online, vetëm tri ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se pret një gjykim të gjatë.
Por, ai beson se mbrojtja do të jetë në gjendje që ta tregojë rolin e Thaçit në luftën për liri për njerëzit e Kosovës, si dhe punën për pajtimin etnik që ai ka bërë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
“Kjo do të vërtetohet në përfundim të gjykimit dhe Thaçi do të shfajësohet nga të gjitha akuzat”, shprehet i bindur Kehoe.
“Për atë që ka bërë gjatë luftës dhe pas luftës, kur KFOR dhe UNMIK erdhën në Kosovë, në qershor 1999. Ishte ai që i nxiti të gjitha këto njësi që të punojnë së bashku, ishte ai që punoi për njerëzit e Kosovës për pajtim ndëretnik e që t’i jepej fund dhunës.
Ishte ai që e bëri këtë gjë pa pushim. Nuk ishte askush tjetër aty që ta bënte këtë, përveç Hashim Thaçit dhe ne do ta vërtetojmë këtë”, ka theksuar avokati amerikan.
Për të treguar rolin e ish-udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pas qershorit 1999 si politikan në ndërtimin e paqes dhe pajtimit ndëretnik, mbrojtja planifikon të thërrasë si dëshmitarë edhe disa personalitete ndërkombëtare të profilit të lartë.
Avokati Kehoe ka treguar se do të ftohet gjenerali Wesley Clark, i cili ka qenë komandant Suprem i NATO-s për Evropë dhe i Komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në maj të vitit 2000; Bernard Kouchner, përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë/ shef i Misionit të UNMIK-ut nga korriku 1999 deri në janar 2001; William Walker, i cili ka qenë drejtues i Misionit Monitorues për Kosovën nga tetori 1998 deri në qershor 1999; Daan Everts, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1999-2001 dhe disa personalitete të tjera.“Që të gjithë kanë pasur ndërveprime me Thaçin, si në aspektin profesional, por në disa raste edhe në atë personal”, thuhej në mocionin e mbrojtjes, kur ishte paraqitur lista e dëshmitarëve.
“Të gjithë këta janë të gatshëm të dëshmojnë”, thotë Kehoe.
Por, ai ka shprehur brengosjen se për shkak të zgjatjes së gjykimit, mund të humbasin ndonjërin nga këta dëshmitarë. Mbrojtja e Thaçit e kishte konsideruar si dëshmitare potenciale dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, por ajo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, derisa Thaçi dhe të tjerët po mbaheshin në paraburgim.
“Kemi një listë dëshmitarësh që planifikojmë t’i vendosim para gjyqtarëve. Por, shumë nga këta zotërinj janë të moshuar. Unë ju dëshiroj një jetë të gjatë, por kjo është edhe një ndër arsyet pse duam që procesi të shkojë sa më shpejt”, u shpreh avokati.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të nisë të hënën, më 3 prill. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Avokati Kehoe shprehet i habitur si për udhëheqësit e UÇK-së, Prokuroria ka paraparë dyfish më shumë dëshmitarë dhe orë të gjyqit sesa edhe për Slobodan Milosheviqin.
“Kanë mbi 300 dëshmitarë dhe pse u duhen kaq shumë dëshmitarë, kur çështja është e qartë, mbetet një mister për mua. Nëse të duhen mbi 300 dëshmitarë për çështjen tënde, ajo çështje nuk është e qartë, nuk është e fortë”, shprehet ai.