Kur do të plasë fluska e Inteligjencës Artificiale?

Pas paqëndrueshmërisë së fundit të bursave, ka filluar të diskutohet flluska e inteligjencës artificiale (IA). Të jemi të qartë, shqetësimet nuk janë të pabaza. Skeptikët e quajnë IA tjetër rast të fantazisë teknologjike dhe spekulimeve financiare, që nga fillimi i ChatGpt në fund të 2022, sepse rrjedha e këtyre cikleve dihet.

Kohët e fundit, i janë bashkuar korit edhe zëra nga sektori financiar, si Goldman Sachs ose Sequoia Capital. Çmimet e tregut të aksioneve të teknologjisë janë të mbivlerësuara, është e qartë, dhe kjo është pjesërisht për shkak të zhurmës që është krijuar rreth IA gjeneruese. Çështja nuk është të ngrihet pyetja nëse tregjet do ta korrigjojnë situatën, por kur do të ndodhë dhe sa e thellë do të jetë kriza.

Nuk dua të pretendoj se me një sferë kristali dhe të jap një përgjigje përfundimtare, por mendoj se ka ardhur koha të mendojmë, se çfarë do të ndodhë pasi tregjet të ndryshojnë drejtim, në vend që të fokusohemi vetëm te e tashmja. Flluskat e teknologjisë ndjekin cikle, por ka edhe një periudhë pas krizës kur vëmendja fillon të zhvendoset diku tjetër, përpara se teknologjia me probleme të ngrihet sërish në këmbë. Flluska e kriptomonedhës shpërtheu në vitin 2022, por industria e saj nuk ka vdekur. Ajo është një nga financueset kryesore të fushatës aktuale zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, duke kërkuar kandidatë të gatshëm të miratojnë ligje më të buta për aktivitetet e saj.

Edhe punësimi i pasigurt nuk është më në qendër të vëmendjes, edhe pse Uber vazhdon fushatën e vet për të përjashtuar punëtorët nga garancitë e ligjeve të punës, me pasoja jo të vogla. Ndërkohë, syzet inteligjente janë rikthyer, dhe rrjetet sociale vazhdojnë të shkaktojnë dëme sociale pavarësisht debateve për to. Ne nuk mund të lejojmë që të shkojë në të njëjtën mënyrë me IA gjeneruese.

Chatbot-et (softuer të aftë për të imituar bisedat njerëzore) dhe gjeneruesit e imazheve ndoshta përdoren në mënyra më konkrete sesa kriptovalutat, por kjo mund të nënkuptojë gjithashtu se, kur të përfundojë zhurma, ato do të përdoren në dëm të njerëzve në mënyra të tjera. Ne absolutisht duhet të kuptojmë se si ta parandalojmë këtë.

Në ditët e para të entuziazmit të chatbot-it, drejtuesi i OpenAi, Sam Altman bëri premtime të mëdha, mbi atë se çfarë nënkuptonin modelet e mëdha gjuhësore (llms) për të ardhmen e njerëzimit. Sipas Altman, me këtë lloj inteligjence artificiale, mjekët dhe mësuesit do të bëheshin chatbot-e dhe në fund, të gjithë do të kishin asistentin e tyre të personalizuar, të aftë për t’i ndihmuar me çdo nevojë. Nëse parashikimet e tij do të ishin realizuar, nuk do të ishte e vështirë të kuptohej se çfarë pasojash do të kishte për vendet e punës. Problemi është se ato deklarata ishin një fantazi e pastër.

Ndërkohë, është bërë e qartë se modelet e mëdha gjuhësore kanë kufizime, edhe pse shumë kompani nuk duan t’i njohin ato, sepse kjo mund të zbehë entuziazmin që rrit vlerën e tyre në treg. Për problemin e të ashtuquajturave “haluçinacione” (informacion i shpikur plotësisht nga softueri IA) nuk ka zgjidhje dhe ideja se teknologjitë do të përmirësohen pafundësisht duke përdorur sasi gjithnjë e më të mëdha të dhënash, është vënë në pikëpyetje nga progresi minimal në modelet e reja të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, kur flluska të shpërthejë, chatbot-et dhe gjeneruesit e imazheve nuk do të përfundojnë në koshin e mbeturinave të historisë. Përkundrazi, do të shohim një rishikim të fushave në të cilat do të ketë më shumë kuptim përdorimi i tyre dhe, nëse vëmendja zhvendoset shpejt diku tjetër, kjo mund të ndodhë pa rezistencë të madhe. Artistët pamorë dhe punëtorët e videolojërave mund të shohin që kushtet e tyre të punës të përkeqësohen më tej për shkak të inteligjencës artificiale, veçanërisht nëse artistët humbasin në paditë e ngritura prej tyre, kundër kompanive, për shfrytëzimin e veprave të tyre pa leje në trajnimin e softuerit IA.

Megjithatë, gjërat mund të jenë edhe më keq. Microsoft tashmë po bashkëpunon me kompaninë e analizimit të të dhënave, Palantir për të ofruar IA për ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës amerikane, ndërkohë që qeveritë në mbarë botën po pyesin se si të përdorin IA gjeneruese për të ulur kostot e shërbimeve publike, shpesh pa marrë parasysh dëmin e mundshëm që mund të rezultojnë nga përdorimi i mjeteve të afta për të prodhuar informacion të rremë.

Dan McQuillan, autor i librit “Resisting AI” (Bristol University Press 2022), i referohet këtij problemi, duke shpjeguar se është arsyeja themelore pse duhet t’i refuzojmë këto teknologji.Tashmë ka shumë shembuj të algoritmeve që përdoren për të dëmtuar njerëzit në përfitime publike, emigrantët dhe grupet e tjera të cenueshme. Ne rrezikojmë të shohim përsëritjen apo edhe shumëfishimin e këtyre situatave. Kur flluska e inteligjencës artificiale të shpërthejë, disa investitorë do të humbasin para, disa kompani do të mbyllen dhe disa punëtorë do të humbasin vendin e punës. Do të ketë debate të gjata në faqet e para të gazetave dhe faqeve të internetit, apo edhe në rrjetet sociale. Megjithatë, dëmi i përhershëm i përmendur tashmë do të jetë më i vështiri për t’u dalluar menjëherë, sepse ato do të zbehen ndërsa vëmendja zhvendoset në çdo gjë që Silicon Valley dëshiron të promovojë, si bazë për ciklin e vet të ardhshëm të investimeve.

Të gjitha përfitimet që premtuan Altman dhe kolegët e tij do të zhduken, ashtu siç janë zhdukur premtimet për gig economy, metaverset, kriptovalutat dhe shumë gjëra të tjera. Megjithatë, përdorimet e dëmshme të teknologjisë do të mbeten nëse nuk ndërmerren hapa për t’i kufizuar ato. Vetë mjetet gjeneruese të IA janë pjesë e flluskës së IA.

Por ka një tjetër që duhet mbajtur parasysh: qendrat gjigante të të dhënave, të mbushura me mijëra serverë që Amazon, Google, Microsoft dhe të tjerë po ndërtojnë në mbarë botën, për të fuqizuar të ardhmen e IT-së për të cilën po punojnë. Kjo infrastrukturë po ndez protesta në mbarë botën për konsumin e madh të ujit dhe energjisë, por gjigantët e teknologjisë po ecin përpara, duke investuar qindra miliarda dollarë për ta ndërtuar atë.

E ardhmja e qendrave të të dhënave mund të marrë dy rrugë të ndryshme. Pas fazës së parë të pandemisë, Amazon zbuloi se kishte mbivlerësuar kërkesën e ardhshme për platformat e tregtisë në internet dhe kishte filluar të ndërtonte shumë më tepër magazina sesa duhej. Në vitin 2022, në kërkim të uljes së shpenzimeve, anuloi shumë projekte të reja të qendrave të shpërndarjes. Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me ato të përpunimit të të dhënave. Për shembull, tashmë ka nga ata që vënë në dyshim krijimin e tre strukturave të këtij lloji në Auckland të Zelandës së Re.

Nga ana tjetër, mund të mendojmë përsëri për flluskën e new economy të fillimit të viteve 2000, e cila nxiti ndërtimin e infrastrukturës së fibrave optike. Shtetet e Bashkuara përfunduan me shumë më tepër fibra sesa duhej, edhe pse i përdorën ato për të mbështetur zgjerimin e ekonomisë dixhitale disa vite më vonë.

Kohët e fundit, pas shpërthimit të flluskës së kriptomonedhave, një pjesë e fuqisë kompjuterike të përdorur për operacionet e “mining”, pra për krijimin e monedhave të reja dhe verifikimin e transaksioneve, u devijua në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale. Në fund të fundit, ofruesit kryesorë të reve kompjuterike ka të ngjarë të frenojnë planet e tyre të zgjerimit kur flluska gjeneruese e IA të shfryhet, por jo t’i anulojnë ato plotësisht.

Ndërsa Microsoft, Amazon dhe Google pasurohen pasi jeta jonë dhe shërbimet që ne përdorim kërkojnë fuqi kompjuterike gjithnjë në rritje, pavarësisht nga pasojat mjedisore dhe sociale, ata do të duan të sigurohen që çdo gjë që vjen pas IA gjeneruese do të ketë nevojë për serverë gjithnjë e më të fuqishëm për të na mbajtur të varur prej tyre.

Mos u mashtroni: ka një flluskë rreth inteligjencës artificiale dhe momenti që do të plasë mund të jetë më afër se sa pritej. Është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë shtrembërimesh po nxit në sektorin e teknologjisë dhe në shoqëri në përgjithësi, por duhet të jemi gjithashtu gati për atë që vjen pas rrëzimit.

Inteligjenca artificiale gjeneruese është më pak e dobishme sesa na ka bërë të besojmë industria dhe kërkon shumë fuqi kompjuterike për të kryer detyrat më të thjeshta. Por kur zhurma të shuhet, me siguri do të ketë një shtysë të mëtejshme për t’i bërë disa nga zbatimet e saj më efikase dhe kompanitë do të përpiqen t’i mbajnë ato në punë, pavarësisht nga pasojat e tyre sociale dhe mjedisore. Ne do të duhet të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto përpjekje, edhe kur vëmendja në sektorin e teknologjisë të jetë zhvendosur tek burimi tjetër i entuziazmit kolektiv. / PARIS MARX është gazetar dhe shkrimtar kanadez ekspert në teknologji dhe planifikim urban. Ky artikull u bota në buletinin e tij “Disconnect”. – bota.al

  • Postime të ngjashme

    Gjermania zotohet të mos frikësohet më nga Rusia

    Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock është zotuar të martën se vendi i saj nuk do të frikësohet nga politika e re parandaluese bërthamore e Rusisë, duke thënë se…

    Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake – Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

    Policia ka realizuar sot një aksion në Zveçan, ku ka sekuestruar armë, municion e veshje ushtarake. Policia në njoftimin e bërë për media ka bërë të ditur se aksioni është…

    Mos i humbisni

    Gjermania zotohet të mos frikësohet më nga Rusia

    • November 19, 2024
    Gjermania zotohet të mos frikësohet më nga Rusia

    Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake – Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

    • November 19, 2024
    Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake – Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

    Shpërthime në Rusi, ukrainasit thonë shënjestrojnë arsenalin e ushtrisë së Putinit

    • November 19, 2024
    Shpërthime në Rusi, ukrainasit thonë shënjestrojnë arsenalin e ushtrisë së Putinit

    Muhamed Sejdini jep dorëheqje nga pozita e tij si president i FFM-së

    • November 17, 2024
    Muhamed Sejdini jep dorëheqje nga pozita e tij si president i FFM-së

    Ramiz Brahimaj triumfon në UFC, bën një dedikim emocionues për babagjyshin

    • November 17, 2024
    Ramiz Brahimaj triumfon në UFC, bën një dedikim emocionues për babagjyshin

    I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

    • November 17, 2024
    I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër