Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që Britania e Madhe duhet të dërgojë më tepër trupa në Kosovë për të parandaluar një luftë në Ballkanin Perëndimor.
Kurti në intervistë për “The Telegraph” ka thënë se ka vetëm një prezencë “simbolike” të NATO-s në Kosovë dhe nuk do të mjaftonte të parandalohej një pushtim nga Serbia.
Deklaratat e Kurtit erdhën pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, aludoi se do të tentojë ta rikthejë Kosovën. Ai tha se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë rastin”.
Kurti ka thënë se Britania e Madhe duhet ta rrisë prezencën ushtarake në Ballkan Perëndimor.
“Britania e Madhe është pjesë e NATO-s dhe vepron dhe operon në atë mënyrë. Besoj se duhet të ketë më tepër trupa të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se “NATO mund dhe duhet të angazhohet më tepër në Kosovë si në aspektin ushtarak ashtu edhe politikisht”.
Në Kosovë janë rreth 4500 ushtarë të NATO-s.
Kurti ka thënë se i ka kërkuar Brukselit disa herë që të ketë më tepër trupa në Kosovë. Ai tha se kishte bërë kërkesë edhe para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Po ashtu kishte bërë kërkesë në shtator të vitit të kaluar pas sulmit terrorist në Banjskë ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Afro 200 trupa britanikë u dërguan pas sulmit, në tentim për shtensionim duke iu bashkuar 400 trupave britanike që ishin të stacionuara atje.
Këto trupa shtesë janë larguar që nga atëherë.
Në atë kohë, Alicia Kearns, kryetare e Komitetit për marrëdhënie të jashtme në Parlamentin e Britanisë, akuzoi Perëndimin se po dështon ta mbrojë Kosovën nga agresioni serb dhe rus dhe i bëri thirrje Qeverisë britanike që të përkujdeset “që të mos adoptohet në Ballkan një politikë me Beogradin në qendër”.
Kurti ka thënë se derisa prezenca e trupave të NATO-s është e “konsiderueshme” në pjesën veriore të Kosovës e cila është me shumicë serbe, në përgjithësi “nuk është rritur për shumë dhe prezenca është simbolike”.
Në kuadër të KFOR-it janë vetëm 45 trupa britanike nga 4443 sa janë në total në Kosovë.
Italia ka 1322 ushtarë, SHBA-ja 572, ndërsa Hungaria 365 trupa.
Kurti ka treguar për “The Telegraph” bazat serbe në afërsi të kufirit me Kosovën – 48 prej tyre. Ai ka thënë se nga ato 48 baza, 28 janë ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë.
“Serbia po pret një mundësi për të na sulmuar ne”, ka thënë Kurti.
Kurti e ka përshkruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si “Putini i vogël”.
Ai ka thënë se nuk është për t’u befasuar që në dhjetor të vitit të kaluar Vuçiqi tregoi publikisht admirim për presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kur ai e mori rajonin e kontestueshëm Nagorno-Karabakh nga forcat armene. Vuçiqi ka aspirata të veta për ta pushtuar Kosovën, tha Kurti.
“Për shkak të kërcënimeve që Serbia na paraqet ne dhe për shkak të lidhjeve të saja me Kremlinin, do të rritej siguria për shtetin tonë dhe rajonin tonë nëse kemi më tepër kapacitete dhe aftësi për ushtrinë dhe policinë tonë dhe më tepër trupa të NATO-s”, tha Kurti. “Besoj se për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia mban 48 baza operative rreth shtetit tonë dhe për aq kohë sa Serbia është aleate e ngushtë e Kremlinit, duhet të ketë më shumë kapacitete nga ana jonë e më tepër trupa të NATO-s”.
Kurti ka thënë se Kosova tashmë shpenzon më tepër se 2 për qind të Bruto Produktit Vendor për mbrojtje, duke përmbushur objektivin e NATO-s, të cilin shumë shtete anëtare të aleancës nuk e përmbushin.
Kurti ka folur për kohën e kaluar në burg në Lipjan e Pozharec nga viti 1999 deri në fund të vitit 2001, ku ishte torturuar nga regjimi serbë. Vuçiqi në atë kohë ishte ministër e Informimit.
“Ai është ende në pushtet dhe unë u bëra kryeministër, por unë nuk kam urrejtje ndaj serbëve. Por, uroj që Serbia ta ndryshojë qëndrimin dhe qasjen e saj ndaj Kosovës për t’i normalizuar marrëdhëniet. Unë besoj në drejtësi pa hakmarrje. Nuk besoj në hakmarrje. Nëse ka hakmarrje, atëherë s’mund të ketë drejtësi”, tha Kurti.
Një zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, duke iu përgjigjur komenteve të Kurtit, ka thënë se Britania vazhdon të ofrojë mbështetje aktive për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe se po luan një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Trupat e Britanisë së Madhe janë aktualisht të dislokuara si pjesë e misionit paqeruajtës prej 4000 trupave të NATO-s që gjenden në Kosovë. Misioni kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurisë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha zëdhënësi.