Lideri i opozitës në Izrael i ka bërë thirrje Benjamin Netanyahu-t që ta marrë parasysh thirrjen e presidentit amerikan Joe Biden për armëpushim në Gaza.
“Qeveria izraelite nuk mund ta injorojë fjalimin domethënës të presidentit Joe Biden. Në tryezë është një marrëveshje e cila duhet arritur,” shkroi Yair Lapid në një postim në “X”.
“I kujtoj Netanyahu-t që ai ka një rrjet sigurie nga ne për marrëveshjen për pengjet nëse Ben-Gvir dhe Smotrich lënë qeverinë.”
Sipas kësaj marrëveshjeje, mes Izraelit dhe Hamasit vendoset një armëpushim i përhershëm. Këtu përfshihet tërheqja e Izraelit dhe lirimi i pengjeve, si dhe rindërtimi në terma afatgjatë i rripit të Gazës.
Edhe pse detajet e marrëveshjes së re u prezantuan nga Biden, ai në mënyrë të përsëritur e përshkroi si propozim të Izraelit.
Megjithatë, presidenti amerikan e bëri të qartë se ai ishte i vetëdijshëm që mund të kishte rezistencë të konsiderueshmë nga Izraeli, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e të djathtës ekstreme në koalicionin qeverisës.