Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka komentuar situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa foli edhe mbi qëndrimin e Shqipërisë mbi këtë rast.
Majko, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, u shpreh se në Prishtinë duhet të ndryshojë metodologjia e punës në lidhje me uljen e tensioneve, duke ndjekur mënyrën e propozuar nga Perëndimi.
“Kurti është ndër politikanët më të formuluar dhe gëzon simpatinë time, por për momentin ne si përfaqësues të politikës së Tiranës mund të jemi vetëm këshillues së bashku me miqtë tanë për të krijuar një fibër të miqësisë së Perëndimit me shqiptarët. Në Prishtinë për këtë duhet të ndryshojë metodologjia e punës, pasi nëse vazhdon kështu mund të bëhet më keq. Rregullat e jetës normale nuk aplikohen në politikën ndërshtetërore. Mendoj se Kurti dhe qeveria e tij do gjejnë kthesën që do jetë e pranueshme për të gjithë”, theksoi Majko.
Ai deklaroi se për gjendjen gjeopolitike të Serbisë do jetë e vështirë të ketë një Aleksandar Vuçiq të marrë përsipër diçka më shumë, teksa shtoi se presidenti serb po kalon momente delikate sepse ka presion nga të dyja anët, BE dhe Rusia.
“E vetmja gjë që mund të ofrojë një konferencë është një ndryshim dramatik i komunikimit, por unë dyshoj, jo për Kurtin, por për gjendjen gjeopolitike të Serbisë do jetë e vështirë të ketë një Vuçiq të marrë përsipër diçka më shumë. Sot që flasim presidenti serb po kalon momente delikate sepse ka presion nga të dyja anët, BE dhe Rusia. Nuk i ka punët mirë as në skenën politike të vendit dhe po përpiqet të nxjerrë maksimumin e përfitimeve nga situata me Kosovën”, deklaroi ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko.
Sipas tij, qëllimet e Ramës janë tjetër nga ato të Vuçiçit. Ai thotë se Rama kërkon ta bëjë më të pranishme Kosovën në tavolinën ndërkombëtare.
“Janë marrë një sërë masash për të krijuar në hije një lloj Tajvani në rajon dhe kjo do jetë pika më e poshtër që mund të krijohet për statusin e Kosovës. Do të thotë të lihet një proces i tejzgjatur me status si një fshat ndërkombëtar që do jetë i dukshëm dhe i padukshëm njëkohësisht. Megjithatë kjo mbetet e gjitha fantazi”, u shpreh deputeti socialist.
Majko shtoi më tej se marrëdhënia mes Ramës dhe Kurtit është kontraktuar dhe se kjo nuk është një sekret edhe nëse palët thonë se “janë vëllezër”, ndërsa shprehu shqetësimin për atë që po ndodh.
Sipas tij, Rama është pozicionuar disi ashpër në krah të Perëndimit, por nuk mund të quhet fajtor për këtë.
“Marrëdhënia mes Kurtit dhe Ramës është kontraktuar, mes tyre nuk funksionon një marrëveshje për të krijuar një koordinim në lidhje me këto çështje. Kjo nuk është sekret, le të thonë palët jemi vëllezër, etj. Rama është pozicionuar disi ashpër në krah të Perëndimit, por nuk mund të quhet fajtor për këtë. Midis palëve ka një komunikim jo të mirë, këtë kam kuptuar. Ata kanë qenë miq shumë të ngushtë, por jam i shqetësuar për atë që po ndodh”, u shpreh Pandeli Majko.