Të paktën 14 shtetas të Jordanisë kanë vdekur gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, për shkak të nxehtësisë së madhe, kanë thënë zyrtarët.
Ministria e Jashtme e Jordanisë ka thënë se 14 shtetas të saj kanë vdekur për shkak të valës së të nxehtit, dhe 17 të tjerë janë zhdukur.
Kryqi i Kuq iranian ka konfirmuar, po ashtu, që pesë pelegrinë iranianë kanë vdekur, por pa përmendur arsyet.
Zyrtarë të Jordanisë kanë thënë se janë duke vazhduar kërkimet për të zhdukurit.
Haxhi është një prej tubimeve më masive në gjithë botën.
Më shumë se 1.8 milion pelegrinë janë duke marrë pjesë në ceremoninë e këtij viti, sipas autoriteteve saudite.
Në të kaluarën është raportuar për katastrofa vdekjeprurëse, përfshirë stampedot dhe zjarret nëpër tenda, por këtë vit sfidë kryesore ka qenë i nxehti.
Ditëve të fundit temperaturat kanë arritur në deri 46 gradë Celsius, duke bërë që ritualet që duhet të kryhen në këmbë në ambiente të jashtme, të jenë tepër sfiduese, sidomos për të moshuarit.
Pelegrinazhi do të përfundojë të mërkurën.
Autoritetet saudite kanë thënë se kanë marrë masa për të lehtësuar të nxehtin, përfshirë shpërndarjen e ujit dhe këshillimin e pelegrinëve se si të mbrojnë veten kundër diellit.
Vitin e kaluar është raportuar për 240 persona të vdekur përgjatë pelegrinazhit.
Katastrofa më e madhe përgjatë Haxhit është raportuar më 2015, kur kanë vdekur më shumë se 2.000 njerëz. /REL