Dusan Vlahovic është emri që përflitet këtë merkato te PSG-ja. Sulmuesi pritet të largohet nga Juventusi, për t’i bërë vend një afrimi të mundshëm të Lukakut te bardhezinjtë.
Edhe pse nuk ka ende diçka zyrtare, ultrasit e PSG-së e kanë pritur me protesta një afrim të mundshëm të serbit. Jashtë “Parkut të Princave”, tetë tifozë kanë shpalosur një pankartë të madhe ku shkruhej: “Vlahovic në Paris do të të presim tre gishtat”.
Mesazhi është qartësisht politik, me sulmuesin që feston duke ngritur tre gishtat lart, si shenjë e Serbisë së Madhe. Simboli me tre gishtat në Serbi është për Zotin, Atdheun dhe Carin. Një simbolikë që i përket të djathtës politike në Serbi, e cila nuk tenton të njohë Kosovën si shtet.
Veç mesazhit, dy nga tetë tifozët shihen duke bërë simbolin e “Shqiponjës”, shenjë kjo e Shqipërisë. Duket se mes ultrave të PSG-së ka pasur edhe shqiptarë, që nuk e mirëpresin një kalim të mundshëm të Vlahovic në Paris.