Koalicioni VLEN e ka përshëndetur nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit midis Qeverisë dhe Shoqatës së Komunave – Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale.
Zëdhënësi i koalicionit, Fari Iseni, tha se ky Memorandum është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të decentralizimit dhe zhvillimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale.
Sipas VLEN, kjo do të ndihmojë në adresimin e nevojave reale të komunave dhe në përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në menaxhimin e resurseve publike. Një element kyç i Memorandumit, sipas tyre është angazhimi për sigurimin e më shumë fondeve buxhetore për komunat, të bazuara në të ardhurat nga taksat dhe TVSH-ja.
“Koalicioni VLEN është mbështetës i fuqishëm i procesit të decentralizimit, duke e parë atë si një nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës. Ne besojmë se decentralizimi i thellë dhe efektiv është çelësi për forcimin e demokracisë lokale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Memorandumi, i cili paraqet një angazhim të përbashkët për transferimin e kompetencave dhe resurseve më të mëdha në nivelet lokale të qeverisjes, është një dëshmi e qartë e angazhimit tonë për arritjen e këtij qëllimi”, shtoi Fari Iseni, zëdhënës i koalicionit VLEN.